Qeveria propozon licencim të detyrueshëm për agronomët, si do funksionojë Urdhri
Projektligji i ri parashikon që asnjë agronom të mos ushtrojë profesionin pa qenë anëtar i Urdhrit të Agronomit.

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri që synon të rregullojë profesionin e agronomit në Shqipëri përmes krijimit të Urdhrit të Agronomit dhe vendosjes së licencimit të detyrueshëm për ushtrimin e këtij profesioni. Sipas draftit, asnjë individ nuk do të mund të ushtrojë profesionin e agronomit në Republikën e Shqipërisë pa qenë anëtar i Urdhrit të Agronomit, ndërsa profesionistët e fushës do të regjistrohen në një regjistër të posaçëm profesional.
Projektligji përcakton se Urdhri i Agronomit do të funksionojë si një ent publik jobuxhetor me personalitet juridik dhe i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij. Institucioni i ri do të ketë përgjegjësi për administrimin e regjistrit profesional, lëshimin, pezullimin ose heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit, si dhe monitorimin e respektimit të etikës dhe standardeve profesionale.
Pse kërkohet krijimi i Urdhrit
Në relacionin shoqërues, Ministria e Bujqësisë argumenton se sektori bujqësor kontribuon me më shumë se 18 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe siguron punësim për rreth 40 për qind të popullsisë aktive, ndërsa profesioni i agronomit ka mbetur pa një kuadër të posaçëm rregullues.
Sipas dokumentit, aktualisht mungon një bazë e detyrueshme të dhënash për agronomët, nuk ekzistojnë mekanizma të posaçëm për ndëshkimin e praktikave joprofesionale dhe nuk ka një sistem të detyrueshëm të zhvillimit profesional të vazhdueshëm.
Ministria vlerëson se kjo situatë ka ndikuar edhe në sigurinë ushqimore. Në relacion përmenden raste të dokumentuara të keqpërdorimit të pesticideve, plehrave kimike dhe produkteve fitosanitare nga persona pa formimin e nevojshëm profesional, duke sjellë produkte me mbetje kimike mbi kufijtë e lejuar nga Bashkimi Europian dhe raste të kthimit të mallrave shqiptare në eksport.
Detyrime të reja për agronomët
Projektligji parashikon që agronomët të dokumentojnë çdo rekomandim teknik që japin, të garantojnë gjurmueshmërinë e ndërhyrjeve agronomike dhe të mbajnë evidenca të verifikueshme për trajtimet dhe protokollet e zbatuara në terren.
Krijimi i Urdhrit synon të garantojë cilësinë profesionale përmes diplomimit universitar, provimit të shtetit, zhvillimit profesional të vazhdueshëm dhe respektimit të kodit të etikës profesionale.
Masa disiplinore dhe gjoba
Një nga funksionet kryesore të institucionit të ri do të jetë mekanizmi disiplinor. Projektligji parashikon masa që nisin nga vërejtja me shkrim dhe arrijnë deri në përjashtimin e përkohshëm nga Urdhri për një periudhë deri në tre vjet. Komisionet disiplinore do të kenë gjithashtu të drejtën të vendosin gjoba për shkelje profesionale, me vlera që variojnë nga 1,500 deri në 100 mijë lekë.
Financimi dhe organizimi i institucionit
Urdhri i Agronomit do të bashkëpunojë me Ministrinë e Bujqësisë, Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe institucione të tjera kërkimore e akademike të sektorit. Projektligji parashikon që ministria të informohet çdo gjashtë muaj për anëtarësimet e reja dhe masat disiplinore të marra.
Për ngritjen e institucionit të ri është parashikuar financim nga buxheti i shtetit gjatë vitit të parë të funksionimit. Sipas përllogaritjeve të paraqitura në relacion, kostoja totale arrin në rreth 42.3 milionë lekë, ku pjesa më e madhe e fondeve do të përdoret për krijimin e regjistrit elektronik profesional.
Pas vitit të parë, Urdhri i Agronomit pritet të vetëfinancohet përmes kuotizacioneve të anëtarëve, tarifave të regjistrimit, tarifave për shërbime dhe burimeve të tjera të ligjshme.
Zgjedhjet e para brenda një viti
Projektligji përcakton se zgjedhjet e para për organet drejtuese të Urdhrit do të organizohen nga një komision i përkohshëm i ngritur nga ministri përgjegjës për bujqësinë. Ky proces duhet të zhvillohet brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Nëse miratohet, ligji do të krijojë për herë të parë një sistem të detyrueshëm licencimi dhe mbikëqyrjeje për profesionin e agronomit në Shqipëri, me synimin për të rritur standardet profesionale dhe sigurinë ushqimore në sektorin bujqësor.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)